Lamallari: Krijojmë Zyrën e Rikuperimit të Aseteve sipas modelit francez

TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari prezantoi sot para komisionit të Sigurisë Kombëtare projektligjin “Për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve”.
Lamallari bëri të ditur se ky projektligj vjen si nismë e re ligjore, në kuadër të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare me udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës.
Sipas tij, “projektligji adreson angazhimet që kanë të bëjnë me përafrimin e Acquis të BE-së në kuadrin ligjor shqiptar”.
“Konkretisht duke bërë pjesë të kuadrit ligjor shqiptar katër direktiva shumë të rëndësishme të BE-së që lidhen me rikuperimin e aseteve. Projektligji është produkt i një pune ndërinstitucionale e bashkërenduar edhe me mbështetjen e Këshillit të Europës. Përmes ekspertëve të tyre ata na kanë asistuar me modelet më të mira, si ato gjermane dhe franceze”, tha ai.
Lamallari nënvizoi se këto modele janë përshtatur në kontekstin shqiptar, duke marrë këtu në konsideratë edhe faktin se Shqipëria ka një agjenci për menaxhimin e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.
“Mungonte kjo zyrë, e cila do të jetë entiteti kryesor i qendërzuar për gjurmimin e këtyre pasurive. Kjo përshtatet shumë me modelin që na u prezantua në Francë. Nga ai moment ne kemi pasur udhëheqjen e drejtuesve të Zyrës së Rikuperimit të Aseteve në Francë, të cilët kanë asistuar grupin e punës për të sjellë këtë akt”, tha Lamallari.
Zv.ministri i Brendshëm siguroi po ashtu se ky variant garanton ndarjen e informacionit dhe punën e Zyrës së Rikuperimit në funksion të hetimeve penale.
/a.f//r.e/