Blushi: Prioritet i Partisë së Lirisë, Shqipëria fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Partia e Lirisë prezantoi sot kandidatin për deputet në qarkun e Durrësit, Adriatik Hoxha, pjesë e koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Vetë presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta përshëndeti me një audiomesazh të pranishmit ndërsa u bëri thirrje që të votojnë “PD-ASHM”, që Durrësi të kthehet në qendrën më të fuqishme të eksporteve shqiptare në të gjithë botën.
Në fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” propozon një model të ri ekonomik.
Sipas Blushit do të ketë “ulje drastike dhe heqje taksash dhe tarifash, që rëndojnë mbi ekonominë familjare, si dhe ulje të kostos së jetesës dhe rritje të mirëqënies së qytetarëve”.
“Ne angazhohemi për krijimin e zonave të lira ekonomike “Durrësi 1” dhe “Durrësi 2”, sipas modelit të suksesshëm Maqedonas”, u shpreh Blushi.
Sipas Blushit, “ky program ka në qendër qytetarin dhe rritjen e mirëqenies së tij, si dhe biznesin dhe nxitjen e prodhimit vendas”.
“Shqipëria fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon, është një nga prioritetet më madhore të Partisë së Lirisë, por edhe pjesë e këtij programi të shkëlqyer “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, u shpreh Blushi.
Sipas Blushit, ky prioritet realizohet “duke ulur së pari shkallën e ndryshme tatimore; duke vendosur taksën e sheshtë 10% mbi kapitalin, mbi të ardhurat nga puna; duke vendosur taksën e sheshtë 10% mbi të ardhurat jo nga paga; tavani vjetor për tatimfitimin zero për biznesin e vogël; duke vendosur TVSH- në 15%; duke vendosur taksën e ndikimit në infrastrukturë në 2% nga 8% që është aktualisht”.
“Gjithashtu çdo shqiptar që vjen për të investuar në vend, për 5 vite do t’i hiqen taksat kudo që ai do të investojë, ndërsa për investimet në zonat malore, do të përjashtohen për 8 vite nga taksat”, tha Blushi.
Blushi shtoi se “ne në 100 ditët e para, do të vendosim gjithashtu një minimum jetik, 200 euro për çdo shqiptar, si dhe do të rritim me 20% pensionet”.
“Rroga minimale do të jetë 500 euro, ndërsa rroga mesatare 1200 euro, në mënyrë që të mos kemi qytetarë të cilët mezi shtyjnë ditët dhe jo më muajin për të blerë ushqime e jo më pastaj për të paguar faturat e kripura dhe abuzive të energjisë elektrike”, tha Blushi. /j.p/