Berisha: Vota e shqiptarëve jashtë vendit, rol përcaktues për shpëtimin e Shqipërisë

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot nga selia blu se vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do këtë rolin përcaktues në shpëtimin e Shqipërisë.
Sipas Berishës qeveria është e “tmerruar nga vota e diasporës e cila është vota e shqiptarëve të lirë”.
I pyetur në lidhje me përpjekjet për manipulimet e votimit nga jashtë, kryedemokrati tha se PD “do ta mbrojë votën. Ne do të ndjekim çdo proces të kësaj vote, gjersa ajo të numërohet e tëra me transparencë”.
“Dhe ju garantoj unë ju, se ky vit, si viti i diasporës do të jetë vota e shqiptarëve jashtë vendit që do të ketë rolin përcaktues në 11 maj, shpëtimin e Shqipërisë nga narkodiktatura”, tha Berisha.
Berisha u pyet nga gazetarët edhe për mbajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, më datat 15 dhe 16 maj, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare. “Kjo datë është një shtytje më e fuqishme akoma për demokratët për të fituar në 11 maj”, tha Berisha.
Sa i takon hapjes së fushatës zgjedhore nesër, Berisha tha se “fushata është surprizë”.
“Fushata surprizë. Problemi është se, çifti dashurohet muaj apo vite, por e ka një ditë që ndryshon dhe paraqitet krejt tjetër dhe të gjithë pavarësisht se i kanë parë qindra e mijëra herë, vrapojnë t’i shohin atë ditë si çift, me kostumin e nusërisë. Ndaj dhe të gjitha surprizat janë nesër”, tha Berisha. /j.p/