E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Pr.ligji i PL-së do sillte ulje të çmimit të karburanteve

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u bëri sot thirrje deputetëve të Kuvendit të miratojnë me urgjencë projektligjin e propozuar nga kjo forcë politike për uljen e çmimit të karburanteve.

Në një deklaratë për shtyp, Blushi tha se kanë kaluar rreth dy javë nga depozitimi i projektligjit në Kuvend dhe, sipas tij, ende nuk ka reflektim nga qeveria dhe mazhoranca.

Ai theksoi se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur rreth 200 lekë për litër, ndërsa mbi 60% e këtij çmimi përbëhet nga taksa që shkojnë në buxhetin e shtetit.

Sipas tij, pezullimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit të karburanteve dhe lehtësim për qytetarët dhe bizneset.

Blushi shtoi se çmimi i lartë i karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës dhe të produkteve bazë për familjet shqiptare.

Ai u bëri thirrje deputetëve të mbështesin këtë nismë ligjore në interes të qytetarëve dhe bizneseve. /gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›