E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – I dërguari i Trump: Rreziku i përshkallëzimit të luftës po rritet ndjeshëm, pasi Ukraina goditi bombarduesit rusë

UASHINGTON, 4 qershor /ATSH/- I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg tha sot se rreziku i përshkallëzimit të luftës në Ukrainë po rritej ndjeshëm – pasi forcat ukrainase përdorën dronë për të sulmuar bombarduesit bërthamorë rusë në disa baza ajrore brenda Rusisë, sipas “Reuters”.

Ukraina tha se kishte sulmuar bazat ajrore në Siberi dhe në veriun e largët të Rusisë gjatë fundjavës, duke goditur objektiva deri në 4,300 kilometra nga vijat e frontit të konfliktit.

“Niveli i rrezikut po rritet shumë”, tha Kellogg.

“Njerëzit duhet të kuptojnë se në hapësirën e sigurisë kombëtare: kur sulmon pjesën e sistemit të mbijetesës kombëtare të një kundërshtari – që është triada e tyre – triada bërthamore – kjo do të thotë se niveli i rrezikut rritet pasi nuk dihet se çfarë do të bëjë pala tjetër. Nuk ka siguri”, tha ai.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku kanë rreth 88% të të gjitha armëve bërthamore.

Çdo fuqi ka tre mënyra kryesore për të sulmuar me koka bërthamore, të njohura si triada bërthamore: bombardues strategjikë, raketa balistike ndërkontinentale të lëshuara nga toka dhe raketa balistike të lëshuara nga nëndetëset.

Kellogg tha se dëmi ndaj bombarduesve rusë, në fundjavë ishte më pak i rëndësishëm sesa ndikimi psikologjik mbi Rusinë.

Ai tha se ishte kryesisht, i shqetësuar nga raportet e pakonfirmuara për një sulm ukrainas në një bazë detare në Rusinë veriore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha dje se presidenti Trump nuk ishte informuar paraprakisht – për sulmet me dronë të Ukrainës ndaj bombarduesve të Rusisë.

Rusia dhe Ukraina zhvilluan bisedime të hënën në Stamboll – për t’i dhënë fund një lufte që ka shpërthyer që kur Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë – më shumë se tre vjet më parë.

Dje, zyrtarë të lartë ukrainas vizituan Uashingtonin për të kërkuar mbështetjen e SHBA-së kundër Rusisë, ndërsa akuzuan Moskën se po zvarriste bisedimet e paqes. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›