Bogdani: SPAK është plotësuar me 20 prokurorë, sfidë vakancat

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale së bashku me Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike zhvilluan një seancë dëgjimore të përbashkët për raportimin e veprimtarisë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vitin 2024.
Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani u shpreh se “janë miratuar 7 raporte periodike vlerësimi etik dhe profesional për prokurorët, një raport për drejtues dhe një raport i përshpejtuar”.
Bogani theksoi se, vlerësimi kryhet mbi bazën e katër kritereve kryesore që janë: aftësitë profesionale, aftësitë organizative, etika dhe angazhimi profesional, si dhe aftësia personale dhe angazhimi në to.
Aktualisht theksoi ajo, “ne kemi miratuar në total 41 raporte vlerësimi”, teksa shtoi se, objektivi i vendosur nga partnerët ndërkombëtarë dhe BE-ja është 55 raporte deri në përfundim të vitit.
Bogdani theksoi se, “në vijim të këtij procesi Këshilli ka vijuar intensivisht procesin e verifikimit të figurës dhe pasurisë për 25 kandidatë që kanë ndjekur formimin fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës për vitin 2024-2025”.
Gjithashtu, shtoi Bogadani, “janë 23 kandidatë që kanë përfunduar formimin fillestar për vitin 2024. Janë gjithashtu procedura të kryera për 9 kandidatë për pozicionin drejtues për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm”.
Sa i takon sfidës së menaxhimit të vakancave në sistemin e prokurorisë, Bogdani theksoi se, “në vitin 2024 numri i prokurorëve në detyrë ka qenë 218 nga 341 të parashikuar. Kemi pasur një numër rreth 64% në sistem, ndërsa pjesa tjetër ka qenë vakanca të përhershme dhe të përkohshme”.
Sa i takon proceseve të emërimeve edhe ngritjeve në detyrë, Bogdani u shpreh se, KLP ka realizuar gjatë vitit 2024, 3 ngritje në detyrë në pozicione drejtues prokurorish, 2 riemërime në pozicione drejtuesi, ndërsa lidhur me lëvizjet paralele, 8 prokurorë janë transferuar me pëlqim në prokuroritë e tjera për të balancuar ngarkesat”.
Lidhur me ngritjet në detyrë, Bogdani theksoi se, “Këshilli ka realizuar procesin e ngritjes në detyrë të 3 prokurorëve në SPAK, duke përmbushur kështu numrin 20 të prokurorëve në strukturë”.
Ndërkohë, shtoi ajo, “përveç këtyre ngritjeve në SPAK janë 23 prokurorë të diplomuar në vitin 2024 që janë emëruar dhe caktuar në detyrë duke kontribuar kështu në përmbushjen e vakancave të krijuara në sistem”.
/gj.m/a.f/r.e/