E Diel, 1 Nëntor 2026

Bordi i Transparencës: Nafta do të shitet jo më shumë se 190 lekë për litër, benzina 173 lekë për litër

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Bordi i Transparencës vendosi sot çmimet e reja tavan për shitjen me pakicë të karburanteve në tregun vendas.

Kështu, Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 190 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot, ora 14:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Bordi sqaron se referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lekë/litër, apo për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.

Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Sa i përket gazoilit për peshkim, Bordi bën të ditur se çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, në nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit”.

Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” të Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizës i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjisë së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 95 lekë.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›