Berisha: Kërkoj zbatimin e menjëhershëm të kërkesave të protestuesve

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti sot qytetarët që po protestojnë kundër investimit në Zvërnec, duke i cilësuar protestat si një reagim kundër qeverisë.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se dënon krahasimin që, sipas tij, Rama u bëri protestuesve me “falangat e Hitlerit”, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë dhe të papranueshëm.
“Dje, Evropa dhe botë dëgjoi më fuqishëm se kurrë zërin e shqiptarëve jo vetëm në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, por dhe në metropolet kryesore të Evropës dhe sot në SHBA shqiptarët protestojnë pranë përfaqësive të narkokratit Edi Rama. Unë gjithashtu dua të dënoj me forcën më të madhe krahasimin që Edi Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu ngriti dyshime mbi procesin e miratimit të projektit në Zvërnec, duke pretenduar se ndaj tij kanë ekzistuar hetime për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa tha se nuk ka transparencë në procedurat e ndjekura.
Sipas tij, edhe presidenti i Këshilli Evropian, António Costa, gjatë vizitës së tij në Shqipëri nënvizoi rëndësinë e respektimit të direktivave evropiane për mbrojtjen e peizazhit natyror dhe zonave të mbrojtura.
“Çfarë zbuloi dje takimi në Zvërnec? Zbuloi se Zvërneci po hetohej prej një viti nga ai organ që ka dy vepra penale në hetim, korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar. Pra, në një dosje ku prokuroria shqiptare kishte nisur hetimet për krim të organizuar ose korrupsion në nivelet më të larta, zotëria e tij jepte lejen e zhvillimit për kompaninë duke shpresuar se autoriteti i zotit Kushner dhe vajzës do të mjaftonin për të mbyllur çdo dosje. Se e kam thënë që në fillim, se në këtë aferë, ajo që të bën që në fillim një përshtypje tepër dërrmuese është mungesa totale e transparencës. Zero transparencë.
Në qoftë se e vutë re ju, presidenti i Këshillit Evropian, Costa, në vizitën e tij në mënyrë direkte, të hapur u ndal tek Zvërneci, në të cilën i kujtoi Edi Ramës se duhet të respektosh direktivën e Komisionit Evropian. Direktiva e Komisionit Evropian për peizazhin natyror është e tillë. Mund të ndërtosh duke pasur parasysh katër kushte”, tha Berisha.
Berisha kërkoi zbatimin e menjëhershëm të kërkesave të protestuesve dhe i bëri thirrje qeverisë të dëgjojë zërin e qytetarëve lidhur me projektin e planifikuar në Zvërnec.
/m.q/a.f/r.e/