“Larg duart nga Narta”, protestë në Zvërnec kundër ndërtimit të projektit turistik

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Shoqëria civile, aktivistë dhe qytetarë janë mbledhur sot në zonën e Porto Novos dhe plazhit të Dalanit në Vlorë për të protestuar kundër një projekti investimi në Zvërnec.
Me pankartat “Larg duart nga Narta” dhe flamuj kuqezi, qytetarët marshuan përgjatë bregut të detit duke kërkuar mbrojtjen e natyrës.
Sipas tyre, kjo zonë ka rëndësi të veçantë si për komunitetin lokal, ashtu edhe për qytetin e Vlorës në tërësi.
Më pas protesta do të vijojë sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, në orën 18:00.
Prej gjashtë ditësh qytetarët kanë protestuar në Tiranë duke kërkuar anulimin e ndërtimit të një rezorti në Zvërnec, duke shprehur shqetësime për ndikimin që ai mund të ketë në mjedis dhe në pasuritë natyrore të zones.
Protestuesit kanë ripërsëritur pesë kërkesa: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
/m.q/a.f/r.e/