Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve, nafta rritet me 4 lekë, ulet benzina

Ekonomi | 59 minuta më parë
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes së karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë këtë të mërkurë, 4 nëntor 2026, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 216 lekë për litër, ndërsa benzina me jo më shumë se 172 lekë për litër, pra me 4 lekë më shumë nga sot nafta, ndërsa ulet me 7 lekë benzina.
Për shitjen me shumicë, çmimi maksimal i naftës është përcaktuar në 204 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës në 160 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet në treg.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe akteve ligjore përkatëse.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për zbatimin e çmimeve të përcaktuara, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Sipas njoftimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
NJOFTIMI I PLOTË
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 4 Nëntor 2026, vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 216 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 204lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 4 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.