Bordi i transparencës rrit çmimin e naftës me 4 lekë, do të shitet me 216 lekë për litër! Benzina do të shitet për 172 lekë litri

Bordi i Transparencës ka vendosur sot, më 4 nëntor, rritjen e çmimit të naftës me 4 lekë dhe uljen e çmimit të benzinës me 7 lekë.
Sipas vendimit të Bordit, nafta e cila tregtohej me 212 lekë për litër do të shitet me 216 lekë për litër.
Ndërkohë benzina nga 179 lekë për litër do të tregtohet me 172 lekë për litër.


Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, në orën 14:00, dhe do të mbeten të pandryshuara deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Bordi ka paralajmëruar të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve se janë të detyruar të respektojnë çmimet e përcaktuara. Në rast të shkeljeve, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 4 Nëntor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 216 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 204lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 4 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.