“Botërori 2026”, mbyllet në barazim 1-1 ndeshja Letoni – Shqipëri

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi mbrëmjen e sotme 1-1 ndaj Letonisë në “Skonto Stadium” në Riga.
Kjo ishte ndeshja e katërt në Grupin K kualifikues të “Botërorit 2026”.
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo rreshtoi mbrëmjen e sotme në fushën e lojës formacionin 4-3-3.
Në portë portieri Strakosha, në krahun e djathtë të mbrojtjes, Hysaj në qendër Ismajli dhe Kumbulla, ndërsa Mitaj në të majtë; në mesfushë Asllani, Shehu dhe Bajrami, në sulm Hoxha dhe Broja nga krahët, ndërsa në qendër Manaj.
Ndeshja u drejtua nga arbitri turk Umut Meler, me ndihmësa bashkëkombasit Kerem Ersoy, Ibrahim Çaglar Uyarcan dhe Oguzhan Çakir. Në sistemin VAR ishin gjermanët Harms Hormers, me ndihmës Daniel Schlager.
Në minutën e 2-të erdhi rast i parë i rrezikshëm për Letoninë, por Strakosha devijoi në këndore.
Në minutën e 5-të erdhi përgjigja e Kombëtares, teksa Broja lëvizi bukur nga e djathta dhe provoi me një top në zonë, por largoi mbrojtja kundërshtare.
Në minutën e 7-të Cernomordijs rrezikoi autogolin për Letoninë. Mbrojtësi devijoi me kokë një top të gjatë nga Asllani, por për fatin e tij, topi shkoi në këndore.
Pesë minuta më pas Broja ushtroi presing në afërsi të zonës. Sulmuesi rrëmbeu topin dhe pasoi për Laçin, por gjuajtja e këtij të fundit u devijua dhe nuk shkoi në portë.
Në minutën e 18-të, pas një gabimi në prapavijën e Shqipërisë arbitri turk dha penallti për Letoninë, pas një faulli të Kumbullës ndaj Gutkovskis. Por Strakosha bëri mrekullinë duke pritur gjuajtjen e lojtarit letonez Ikaunieks.
Në minutën e 29-të zhbllokohet sfida. Kuqezinjtë kalojnë në avantazh. Pas një rrëmuje në zonë, ka qenë kapiteni letonez Cernomodrijs, i cili e dërgoi topin në rrjetën e tij pas presionit të Rey Manaj.
Në minutën e 36-të Kombëtarja ishte pranë golit të dytë. Asllani provoi me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, e cila shkoi ngjitur me shtyllën.
Tre minuta më pas pati një mundësi shumë të mirë për Qazim Laçin. Mesfushori u rrotullua në zonë dhe lëshoi një gjuajtje me të majtën, por u ndal nga Balodis.
Në minutën e 49-të barazohen shifrat në 1-1. Letonia shënon me anë të kapitenit Cernomodrijs. Gjuajtja me kokë e mbrojtësit, nuk ndalet dot nga Strakosha.
Me rezultatin 1-1 u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë Shqipëria hyri në fushë në kërkim të golit të avantazhit.
Në minutën e 52-të erdhi një mundësi e artë shënimi për Kombëtaren kuqezi. Pas një krosimi nga këndi Ismajli provoi me kokë, por pa sukses. Në vazhdim të aksionit gjuajti edhe Broja, por topi u largua mbi vijën fatale.
4 minuta më pas, erdhi një gjuajtje e fortë e Asllanit nga jashtë zone, por portieri Zviedris e dërgoi në këndore.
Në të 68-ën lëvizje e bukur nga Mario Mitaj në të majtë. Mbrojtësi futi një top në zonë, por pasimi nuk u shfrytëzua nga asnjëri prej lojtarëve të Shqipërisë.
Në minutën e 80-të, aksion shumë i mirë për Shqipërinë. Manaj lëshon një gjuajtje të fortë me të majtën, por e ndal pa shumë probleme portieri.
Në minutën e 93–të një rast tjetër i humbur nga Shqipëria. Bajrami hodhi një top në zonë, por nuk u shfrytëzua nga lojtarët e tjerë
Ndeshja u mbyll në barazim 1-1.
Grupin K kualifikues e kryeson Anglia me nëntë pikë të plota pas tre takimeve të luajtura.
Shqipëria me 5 pikë mban vendin e dytë (humbje në Angli, fitore në Tiranë kundër Andorrës barazim po në Tiranë kundër Serbisë dhe barazim në Riga ndaj Letonisë).
Serbia me 4 pikë pas 2 ndeshjesh të luajtura.
Letonia me 3 ndeshje të luajtura mban vendin e 4 me 4 pikë dhe në fund Andorra me zero pikë pas 4 ndeshjeve të luajtura.
FORMACIONET ZYRTARE:
Letonia: Zviedris, Jaunzems, Jurkovskis, Cernomordijs, Balodis, Ciganiks, Saveljevs, Varslavans, Zelenkovs, Ilaunieks, Gutkovskis.
Shqipëria: Strakosha; Mitaj, Kumbulla, Ismajli, Balliu; Asllani, Shehu, Laçi; Hoxha, Manaj, Broja.
Grupi “K”
Ndeshjet sot ora 20:45
-Letoni-Shqipëri 1-1
-Serbi- Andorra 3-0
Klasifikimi
1. Anglia 9 pikë (3 ndeshje)
2. Shqipëria 5 pikë (4 ndeshje)
3. Serbia 4 pikë (2 ndeshje)
4. Letonia 4 pikë (3 ndeshje)
5. Andorra 0 pikë (4 ndeshje)
/gj.m//j.p/