E Diel, 1 Nëntor 2026

Botërori 2027 për vajza, Bajraktari dhe Hilaj flasin për objektivat dhe atmosferën në skuadër

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e vajzave vijon përgatitjet intensive në Shkodër në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupa e Botës FIFA 2027, ku do të përballet me Malin e Zi më 3 mars në Nikshiq dhe me Çekinë më 7 mars në stadiumin “Loro Boriçi”.

Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, skuadra kuqezi ka zhvilluar seanca stërvitore me intensitet të lartë, duke u fokusuar si në aspektin taktik, ashtu edhe në përgatitjen fizike, në funksion të dy sfidave të para të këtij cikli eliminator.

Në një prononcim për faqen zyrtare të FSHF-së, mbrojtësja Arbiona Bajraktari theksoi se atmosfera në skuadër është mjaft pozitive dhe grupi është i përqendruar maksimalisht te ndeshja e parë ndaj Malit të Zi.

“Atmosfera është shumë e mirë. Vajzat janë të përgatitura maksimalisht dhe do të japim maksimumin në këto ndeshje, pasi janë shumë të rëndësishme për ne. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, duke nisur me Malin e Zi, ku synojmë të marrim tre pikët”, u shpreh Bajraktari.

Sa i përket përballjes me Çekinë, ajo vlerësoi kundërshtarin si një ekip të fortë, duke kujtuar edhe përballjet e mëparshme në Ligën e Kombeve, por nënvizoi se skuadra do të luftojë për të arritur rezultat pozitiv. Ajo shtoi se afrimet e reja në skuadër pritet të ndikojnë pozitivisht në rritjen e cilësisë dhe konkurrencës brenda grupit.

Edhe mesfushorja Alma Hilaj konfirmoi gjendjen e mirë në kampin kuqezi, duke theksuar se skuadra po punon me përkushtim për të përballuar me sukses dy sfidat e para.

“Objektivi është të marrim më të mirën nga çdo ndeshje. Kemi kundërshtarë të fortë dhe do të japim maksimumin në çdo përballje. Futbolli shpesh vendoset nga detajet, ndaj synojmë të bëjmë performancë sa më të mirë dhe të shpresojmë te rezultati”, deklaroi Hilaj.

Ajo vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së nivelit të arritur në Ligën B, duke shprehur besimin se skuadra do të vazhdojë në të njëjtën linjë pozitive edhe në këtë cikël kualifikues.

Në prag të këtyre sfidave të rëndësishme, Kombëtarja synon të nisë me rezultate pozitive rrugëtimin drejt objektivave të saj në kualifikueset e Botërorit 2027.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›