Investimet në infrastrukturë, dy fusha drejt përfundimit në qytetin e Gjirokastrës

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Në Gjirokastër po merr formë një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën sportive, me ndërtimin e dy fushave me përmasa standarde, që pritet t’i japin një impuls të ri zhvillimit të futbollit në qytet.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës, po punon intensivisht për finalizimin e projektit, i cili tashmë ka hyrë në fazën përmbyllëse.
Aktualisht ka nisur procesi i shtrimit të tapetit artificial, një hap i rëndësishëm drejt përfundimit të plotë të investimit dhe vënies në funksion të dy fushave.
Njëra prej fushave ka qenë ekzistuese dhe i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, ndërsa fusha e dytë është një investim i ri i FSHF-së në kuadër të projektit “100 Fushat”, që synon përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin.
Ky investim pritet t’i shërbejë drejtpërdrejt komunitetit sportiv, të rinjve dhe akademive lokale, duke krijuar kushte moderne për stërvitje, aktivitete sportive dhe zhvillimin e talenteve të reja në futboll.
/gj.m/a.f/