Botërori 2027 për vajza, Grima: Duam ta mbyllim me fitore këtë rrugëtim

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e vajzave është gati për ndeshjen e fundit të fushatës kualifikuese për Kupën e Botës 2027 ndaj Malit të Zi, që do të luhet nesër në orën 19:00 në stadiumin Stadiumi Loro Boriçi në Shkodër.
Pas barazimit pozitiv ndaj Çekisë, vajzat kuqezi synojnë ta mbyllin këtë edicion eliminatoresh me një tjetër paraqitje të mirë përpara tifozëve shqiptarë.
Në prag të sfidës, trajneri Armir Grima u shpreh për fshf.org se skuadra ndodhet në gjendje të mirë psikologjike pas rezultatit ndaj Çekisë.
“Kur vjen pas një rezultati të mirë, edhe gjendja psikologjike e ekipit është shumë e mirë. E rëndësishme është të ruajmë ritmin, dëshirën dhe karakterin që treguam në ndeshjen me Çekinë, në mënyrë që edhe nesër t’i mbyllim me sukses këto eliminatore”, tha Grima.
Ai vlerësoi paraqitjen e skuadrës gjatë gjithë fushatës, duke theksuar se objektivi i ekipit mbetet fitorja në ndeshjen e fundit.
“Ne do të hyjmë në fushë për të fituar dhe ky është objektivi ynë. Vajzat kanë treguar angazhim dhe dëshirë të madhe gjatë gjithë kësaj periudhe. Duam t’i mbyllim këto eliminatore me sukses dhe me një fitore të merituar, sepse këto vajza meritojnë shumë për gjithçka që kanë dhënë”, u shpreh trajneri kuqezi.
Grima pati edhe një mesazh për tifozët shkodranë, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së tyre në stadium.
“Jam i bindur se tifozët shkodranë, si gjithmonë, do të jenë pranë ekipit. Mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme për këto vajza dhe nesër kemi nevojë më shumë se kurrë për praninë e tyre në stadium”, deklaroi ai.
/gj.m/j.p/