FOKUS – Franca dhe Gjermania heqin dorë nga projekti i përbashkët i avionit luftarak FCAS

BERLIN, 8 qershor /ATSH-DPA/ – Projekti shumëmiliardë euro i Francës dhe Gjermanisë për ndërtimin e një avioni luftarak të gjeneratës së ardhshme, është ndërprerë pas disa vitesh përgatitjesh, sipas burimeve të qeverisë gjermane.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë arritur në përfundimin se kompanitë “Dassault Aviation” dhe “Airbus” nuk kanë mundur të bien dakord për ndërtimin e avionit.
Sipas burimeve, Merz i ka rekomanduar Macron të mos vazhdojë më, me ndërtimin e avionit të përbashkët luftarak.
Megjithatë, bashkëpunimi për integrimin dhe rrjetëzimin e sistemeve të ndryshme të armëve, platformave dhe sensorëve në të ashtuquajturin “combat cloud” do të vazhdojë, që do të thotë se programi “Sistemi i ardhshëm i luftimit ajror” (FCAS) nuk është braktisur plotësisht.
Një projekt i nisur në vitin 2017
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron dhanë miratimin fillestar për projektin prestigjioz në korrik të vitit 2017.
Megjithatë, gjatë viteve të fundit, vizionet e “Airbus” dhe “Dassault” për pajisjet ushtarake dhe karakteristikat e avionit të ardhshëm luftarak kanë ndryshuar ndjeshëm.
“Dassault” kërkonte një rol drejtues dhe një pjesëmarrje më të madhe në projekt, ndërsa pala gjermane insistonte në respektimin e marrëveshjeve ekzistuese, të cilat parashikonin përfshirje të barabartë të kompanive.
Mosmarrëveshjet mbi ndarjen e përgjegjësive kanë qenë të përsëritura gjatë gjithë procesit.
Vendimi u shty disa herë
Vendimi politik për projektin, ku ishte e përfshirë edhe Spanja përmes kompanisë “Indra”, është shtyrë disa herë gjatë muajve të fundit.
Për Francën dhe Gjermaninë, të cilat shpesh paraqiten si motori i integrimit evropian, dështimi i projektit përbën një goditje të rëndësishme politike.
Macron ka mbështetur prej vitesh idenë e sovranitetit evropian dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta të mbrojtjes.
Dështimi i një nisme kaq të rëndësishme, për shkak të mosmarrëveshjeve industriale, me një nga partnerët më të afërt të Francës, dërgon një mesazh të kundërt me atë të unitetit, që Parisi synon të promovojë.
Nëse do të realizohej, FCAS do të ishte projekti më i madh dhe më i kushtueshëm i mbrojtjes në Evropë.
Sistemi i ri ajror luftarak ishte planifikuar të operonte në bashkëpunim me dronë dhe të zëvendësonte nga viti 2040 avionët luftarakë “Eurofighter Typhoon” të Gjermanisë dhe “Dassault Rafale” të Francës.
Kostoja totale e projektit ishte vlerësuar në mbi 100 miliardë euro.
Sipas Merz, një nga problemet kryesore ishte se Franca dhe Gjermania kishin kërkesa të ndryshme për avionin e ardhshëm.
Franca kërkonte një avion të aftë të mbante armë bërthamore dhe të operohej nga aeroplanmbajtëset, ndërsa forcat e armatosura gjermane nuk kanë nevojë për këto kapacitete.
Pala gjermane kishte propozuar ndërtimin e dy varianteve të ndryshme të avionit, brenda programit FCAS, por ky opsion u refuzua nga Franca. / /a.i/