E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Shërbimet e turizmit po nxisin importin, jo prodhimin vendas

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe tha sot në Kuvend se “shërbimet e turizmit po nxisin importin, jo prodhimin vendas”.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, Braçe tha se “turimi është dega kryesore e ekonomisë kombëtare dhe do të duhej të tërhiqte edhe degë të tjera të ekonomisë kombëtare me vete. Deri tani jemi dhënë shumë fort pas numrave të turizmit dhe kemi arritur në një nivel që pakkush e mendonte, por tani duhet të ndalemi tek standardi”.

“Kapacitetet tona këto janë: 12, 13, 15 milionë njerëz të pritur në harkun e një viti. Ajo që duhet të na mbajë në këtë nivel, që është një nivel i pranueshëm, duhet të jetë standardi. Sa më parë të organizohemi të kemi standard të turizmit për të mbajtur këtë numër dhe për të garantuar kthimin e këtyre turistëve në Republikën e Shqipërisë për pushimet e tyre edhe aktivitetet që secili prej tyre i ka jetike apo të domosdoshme”.

Sipas tij, turizmi do të duhet të kishte tërhequr edhe degë të tëra të ekonomisë.

“Bujqësia shkon shumë dhe duhet të ishte dega që duhet të kishte përftuar më shumë nga turizmi sa i takon prodhimit vendas bujqësor, blegtoral e frutikulturës. Për fat të keq nuk po ndodh kjo, sepse turizmi po na nxit drejt importit. Po të shikosh të dhënat e dhjetorit, natyrisht tek eksportet, bujqësia, ushqimi, pijet e duhani janë me rënie ndërkohë që importi është me një rritje që shkon 1%”, tha Braçe.

Ndërkohë, vijoi Braçe, që prodhimi vendas po konsumohet shumë më pak sa i takon turizmit, sepse nuk është më në parametrat dhe ky është viti më i vështirë i mundshëm.

“Jemi goditur nga dy përmbytje dhe nga zjarret. Ky është viti që duhet ndihmuar akoma më shumë për të eliminuar këtë fenomen që kemi. Pra, që shërbimet e turizmit po nxisin importin, jo prodhimin vendas”, tha Braçe.

E dyta, shtoi ai, janë efektet që turizmi po prodhon në disa elementë të tjerë të rëndësishëm siç është edhe tregu i imobiliareve dhe tregu i qirave.

“Airbnb që përkthehet në fenomen sa i takon përballimit të flukseve turistike, veçanërisht në ato muaj që janë më të fortët, po ndikon fort në çmimet e qirave, duke dhënë një impakt mbi shtresa e kategori të ndryshme të vendit, përfshi edhe të rinjtë”, tha Braçe.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›