Programi “Art dhe Zeje”, nxit talentet artistike dhe artizanale të nxënësve

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Nxënësit e shkollës “Qamil Guranjaku” në Elbasan po zhvillojnë talentet e tyre përmes programit “Art dhe Zeje”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga orët mësimore që zhvillojnë nxënësit gjatë këtij programi.
“Një orkestër simpatike dhe një trupë teatri plot talente. Nxënësit e shkollës “Qamil Guranjaku” në Elbasan i kanë të gjitha këto mundësi për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e tyre përmes programit “Art dhe Zeje”, që me infrastrukturën e duhur kultivon pasione, nxit krijimtarinë dhe i jep hapësirë çdo fëmije të shprehet dhe të rritet përmes artit”, theksoi Rama.
Ky program tashmë zbatohet me sukses në mbi 200 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Ai ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore në pikturë, vegla muzikore, zeje, teatër, sport, teknologji, etj.
1 nga 5/k.s/r.e/a.f/