E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Në 2009 hiqen vizat, Blushi: demagogji

Liberalizimi i plotë i vizave pritet të ndodhë deri në fund të vitit 2009. Kështu deklaroi sot Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila përsa i përket një bashkëpunimi pozitë – opozitë në lidhje me përshpejtimin e hapave për në NATO, u shpreh se ende nuk ka asgjë konkrete, apo ndonjë ofertë reale nga opozita.

Ndërsa për opozitën, diskutimet në lidhje me anëtarësimin në NATO apo liberalizimi i vizave janë kthyer tashmë në debate të zakonshme dhe jo frytdhënëse. Sipas Blushit, gjatë 20 viteve të fundit shqiptarët janë keq qeverisur, gjë që ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes në vend.  “Për 20 vjet me radhë Shqipëria është keq qeverisur. Këto reforma, të cilat as reforma nuk mund të quhen, madje “ pseudoreforma”, kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes politike, ekonomike dhe sociale në vend” – tha Blushi. “Anëtarësimi në NATO është kthyer tashmë në një temë të zakonshme, ku as reformat nuk japin më fryte, për vetë faktin se këto reforma janë të përcipta. Shqiptarët janë populli më proevropian, por kjo qeverisje jo vetëm që nuk ka ecur para, por ka bërë që Shqipëria të mbetet shumë hapa prapa”.

Reformat, stabiliteti dhe integrimi euroantlantik kanë qenë çështja kryesore e diskutimit në tryezën e organizuar nga Forumi per Demokraci dhe Etikë. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Arian Galdini synimi kryesor është pikërisht krijimi i marrëdhënieve të reja politike dhe sociale në shoqërinë shqiptare me qëllim zhvillimin e vendit.

Takimi mes politikanëve dhe ekspertëve të shumtë të politikës, vjen një ditë pas nënshkrimit të protokollit nga Shqipëria në lidhje me anëtarësimin në NATO. Sipas Bregut, tashmë kërkohet më shumë reforma dhe më shumë bashkëpunim për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›