Përgjigjet e Berishës: Për Gërdecin nuk kam dijeni, rërë nuk më ka kërkuar askush
Në seancën e sotme parlamentare të zhvilluar në paradite ka marrë pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. Grupi Parlamentar i PS-së ka kërkuar 8 herë interpelanncë me kryeministrin dhe sot ishte hera e parë që ai merrte pjesë në kuvend. Në fillim ai përshëndeti nënshkrimin e protokollit për hyrjen në NATO, bërë ditën e djeshme në Bruksel. Por kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj në fjalën e saj ka kërkuar që “Kryeminsitri të japë përgjigje për akuzat e bëra në drejtim të tij dhe të mos flasë për NATO-n, pasi as me NATO-n Berisha nuk është serioz”.
“Nuk e di sa serioz ju jeni me NATO-n sa kohë kur reformat janë bllokuar, dhe kur deputetëve të opozitës nuk u është dhënë e drejta e fjalës në seancën e kaluar plenare” – tha Leskaj.
“Jepni përgjigje për akuzat pasi reformat që ju keni premtuar në Bruksel së bashku me ministrin e jashtëm nuk bëhen vetëm. Nëse keni menduar ti bëni vetëm, mos harroni se kjo opozitë nuk do të pranojë të bëhet koperturë sa kohë ju shpërfillni kërkesat e saj” – tha Leskaj.
Dua të jepni përgjigje tha Leskaj edhe pse është hequr sot nga kalendari projektligji për minatorët.
Akuzat e opozitës ndaj kryeministrit dhe familjes së tij janë përcjellë në kuvend ditën e sotme nga deputeti i PS-së, Erjon Braçe.
Sipas Braçes, PS ka kërkuar interpelancë për Gërdecin por Kryetarja e Kuvendit është përgjigjur se kryeministri nuk mund të flasë për këtë. Ndërkohë përgjigja e Berishës sot ka qenë: “Dijenia ime për Gërdecin ka qenë Zero. Juve ju intereson që të kisha dijeni, por ja që skisha asnjë dijeni për çfarë ndodhte atje, pasi kështu ishin ligjet e miratuara nga PS. Unë nuk kam amenduar asnjë ligj të Ushtrisë”.
Ndërkohë Braçe ka ngritur edhe akuzën për tokat që Berisha dhe familja e tij kanë zaptuar në bregdet. Sipas tij vetë Argita, e bija e Berishës ka deklaruar se ka 166 metra katrorë tokë në gjirin e Lazrit, ndërkohë edhe kunati i Berishës ka deklaruar se 98 metra katror po në gjirin e Lazrit.
“Berisha dërgoi padronët e policisë për të prishur ndërtimet në Jalë me qëllim për të ngritur një fshat turistik nga një kompani e cila është partnere në biznes me vajzën e tij”.
Por Berisha u përgjigj sot se: “Akuzohem se kam bërë prona në jug, ndërkohë që unë skam asnjë metër katrorë tokë përveçse në Tropojë, që ma kanë lënë gjyshërit e mi”.
Sa i përket akuzës për dërgimin e rërës së bregdetit të Vlorës në Itali, Berisha është përgjigjur se: “këto janë çmenduria pasi mua smë ka kërkuar askush rërë”.