E Diel, 1 Nëntor 2026

Bukuri me çdo kusht? Studimi lidh ndërhyrjet estetike me ankthin dhe depresionin

ROMË, 1 korrik /ATSH/ – Trajtimet estetike me injeksione po rriten me ritme të shpejta, me një rritje prej mbi 125% për fillerët me acid hialuronik (që rikthejnë volumin e fytyrës duke mbushur gropëzat e lëkurës të shkaktuara nga rrudhat ose shenjat) dhe mbi 62% për injeksionet me toksinë botulinike (Botox), shkruan salute.eu.

Botox bllokon veprimin e acetilkolinës, neurotransmetuesit përgjegjës për tkurrjen e muskujve, duke relaksuar shprehjen e fytyrës dhe duke i dhënë asaj një pamje më të re dhe më të qetë.

Por pse njerësit dduket se kanë një pasion kaq të madh për ndërhyrjet estetike?

Pamja fizike është e lidhur ngushtë me vetëvlerësimin, ndërsa mundësitë teknologjike që ofron sot mjekësia estetike mund t’i ndihmojnë njerëzit të përmirësojnë perceptimin për veten, duke e afruar sa më shumë imazhin e tyre me standardet e bukurisë që konsiderohen të pranueshme nga shoqëria.

Kjo nuk është pa pasoja praktike. Personat me vetëvlerësim më të lartë zakonisht kanë aftësi më të mira për të zgjidhur problemet, për të përballuar stresin dhe për të menaxhuar më me sukses marrëdhëniet ndërpersonale dhe shoqërore.

Pamja dhe ankthi social

Një faktor kyç që e rrit rëndësinë e pamjes së jashtme dhe ankthin që lidhet me të është përhapja e përdorimit të rrjeteve sociale. Vajza, djem, gra dhe burra të të gjitha moshave publikojnë fotografi të vetes për të fituar miratimin e të tjerëve.

Kjo krijon një presion të vazhdueshëm për t’u përmirësuar dhe mund të nxisë një konformizëm estetik, duke i shtyrë njerëzit drejt retushimeve, qoftë fotografike apo kirurgjikale.

Megjithatë, rrjetet sociale mund të shërbejnë edhe si një “stërvitje” për vetëbesimin. Miratimi dhe vlerësimi i marrë online mund të forcojnë besimin në vetvete dhe t’i ndihmojnë individët të ndihen më të sigurt edhe në marrëdhëniet reale jashtë internetit.

Mjekësia estetike, varësia dhe rrjetet sociale

Një studim  zbuloi se personat që janë më të prirur t’u nënshtrohen ndërhyrjeve estetike kanë nivele më të larta të varësisë nga rrjetet sociale, depresionit, ankthit dhe çrregullimit dismorfik të trupit, një gjendje psikologjike që karakterizohet nga shqetësimi i tepruar për një defekt fizik real ose të imagjinuar.

Për më tepër, varësia dhe përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale mund të krijojnë pritshmëri jorealiste tek ata që i drejtohen ndërhyrjeve estetike, duke u përpjekur të ngjajnë me modele bukurie të imponuara nga kultura dominuese.

Kjo përbën një lloj uniformizimi kulturor, që minimizon dhe shtyp veçantinë individuale në favor të një standardi të vetëm estetik.

Që ndërhyrjet estetike të mos shoqërohen me zhgënjim dhe pakënaqësi, është thelbësore që secili të kuptojë motivimet dhe pritshmëritë e veta.

Ndërhyrja mund të sjellë ndryshimet e dëshiruara në pamjen fizike, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të zgjidhë automatikisht vështirësitë në marrëdhëniet shoqërore apo mungesën e vetëvlerësimit.

Rreziku është që efekti pozitiv i ndërhyrjes të jetë vetëm i përkohshëm, duke nxitur kërkimin e vazhdueshëm për procedura të reja estetike.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›