Koçiu: Rritja ekonomike po kthehet në përfitime të drejtpërdrejta për familjet

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se ndryshimet në Buxhetin 2026, të miratuara përmes Aktit Normativ nga Këshilli i Ministrave, do të sjellin më shumë mbështetje për familjet, pensionistët, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe ekonominë, falë performancës pozitive të ekonomisë shqiptare.
Koçiu u shpreh se përmes këtij akti normativ, rritja ekonomike po përkthehet në politika konkrete në mbështetje të qytetarëve.
“Përmes Aktit Normativ për ndryshimet në Buxhetin 2026, të miratuar në mbledhjen më të fundit të Qeverisë, rritja ekonomike e Shqipërisë kthehet në përfitime të drejtpërdrejta për familjet shqiptare, në kujdes të shtuar për kategoritë në nevojë dhe në më shumë investime për sektorët prioritarë të vendit”, deklaroi Koçiu.
Akti Normativ parashikon dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, nga e cila do të përfitojnë 10 720 fëmijë. Për këtë masë janë vënë në dispozicion 750 milionë lekë dhe zbatimi nis më 1 korrik 2026.
Po ashtu, janë planifikuar 872 milionë lekë shtesë për indeksimin e pensioneve, ndërsa 228 milionë lekë në vit do të përdoren për pagesën e orëve shtesë të rreth 1 250 punonjësve të shërbimit zjarrfikës.
Në sektorin e shëndetësisë, buxheti shton 1,5 miliardë lekë për barnat onkologjike dhe 150 milionë lekë për rritjen e pagave të personelit të urgjencës mjekësore.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu mbulimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për 14 657 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar prej rreth 2 miliardë lekësh në vit. Kjo masë do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026.
Në mbështetje të ekonomisë, Garancia Sovrane rritet nga 3 në 5 miliardë lekë, duke zgjeruar përfituesit përtej fermerëve, edhe tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Akti Normativ parashikon gjithashtu 13,3 miliardë lekë shtesë për mbrojtjen, duke e çuar financimin në 2,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në NATO.
“Me bindjen e plotë se ka ende shumë për të bërë, por edhe me vendosmërinë për të mos u ndalur përpara asnjë pengese, vijojmë me “Punët e Shqipërisë” drejt të ardhmes europiane me politika konkrete që rrisin mbështetjen për qytetarët dhe përmirësojnë shërbimet publike”, theksoi Koçiu në reagimin e saj.
/e.xh/j.p/r.e/