E Diel, 1 Nëntor 2026

Sala: Nevojiten mekanizma më të shpejtë ligjorë kundër piraterisë digjitale

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Gentian Sala theksoi se lufta kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive kërkon përmirësime të kuadrit ligjor, reagim më të shpejtë institucional dhe bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve përgjegjëse.

Në fjalën e mbajtur gjatë takimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) me temë “Lufta kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive, progresi dhe sfidat në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, Sala u shpreh se, pirateria e transmetimeve digjitale dhe audiovizive sjell dëme të konsiderueshme ekonomike dhe cenon të drejtat e autorit.

Sipas tij, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, zgjerimi i rrjeteve me kapacitet të lartë, përdorimi masiv i platformave IPTV dhe lehtësia për krijimin e platformave të transmetimit online kanë revolucionarizuar mënyrën e shpërndarjes së përmbajtjes, por njëkohësisht kanë favorizuar edhe përhapjen e piraterisë.

Sala sqaroi se AKEP nuk ka kompetencë ligjore për të shqyrtuar përmbajtjen e komunikimeve elektronike, internetit apo portaleve online.

Ai bëri të ditur se, bazuar në kuadrin aktual ligjor, pas identifikimit të një transmetimi të paligjshëm nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), AKEP u kërkon ofruesve të shërbimit të internetit bllokimin e aksesit ndaj domeneve, adresave URL dhe IP-ve që transmetojnë përmbajtje të paligjshme.

Megjithatë, Sala vlerësoi se procedura aktuale, e cila zhvillohet përmes komunikimit shkresor, megjithëse ka funksionuar si mekanizëm, nuk i përgjigjet ritmit me të cilin zhvillohet dhe përshtatet pirateria digjitale.

Për këtë arsye, ai propozoi plotësimin e legjislacionit me dispozita më të qarta, të cilat do të detyronin ofruesit e internetit të zbatojnë menjëherë urdhrat e bllokimit të nxjerra nga AKEP mbi bazën e kërkesave të autoriteteve kompetente, si dhe të parashikojnë masa në rast të moszbatimit të tyre.

Kreu i AKEP-it nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ndodhet në procesin e transpozimit të Digital Services Act (DSA) të Bashkimit Europian, një akt që krijon një kuadër të ri për trajtimin e përmbajtjeve të paligjshme në internet dhe rrit përgjegjësinë e platformave online në luftën kundër piraterisë.

Sipas tij, përballja me këtë fenomen kërkon bashkëpunim të koordinuar jo vetëm mes AKEP-it dhe AMA-s, por edhe me Policinë e Shtetit, Prokurorinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Duke iu referuar praktikave evropiane, Sala veçoi modelin italian si një shembull të suksesshëm, ku rezultatet më efektive janë arritur përmes ndërthurjes së masave ligjore, teknologjike dhe bashkëpunimit institucional.

Ai theksoi se edhe Shqipëria duhet të synojë ndërtimin e një sistemi të integruar dhe të koordinuar, që garanton reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj rasteve të piraterisë digjitale dhe audiovizive.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›