E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg ekzekutorit të Klevis Lleshit, Gjykata e Posacme vendos arrest shtëpie për bashkëpunëtorin e vrasësit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë këtë të shtunë masat e sigurisë për 2 të arrestuarit për vrasjen e Klevis Lleshit, krim i ndodhur në gusht të vitit 2020.

Sabah Nuzi, që dyshohet si ekzekutori, është lënë në “arrest në burg”, ndërsa Samet Loka është në “arrest në shtëpi”. Gjatë seancës gjyqësore, Nuzi ka mohuar akuzat, duke mos pranuar përfshirjen e tij në ekzekutimin e 32-vjeçarit Klevis Lleshi.

Saimir Kolaveri, po ashtu i përfshirë në vrasjen e Lleshit dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Itali nga autoritetet vendase. Kolaveri akuzohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes Aurel Hoxhës, që dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e Klevis Lleshit për motive gjakmarrjeje, dhe Sabah Nuzit, që kreu krimin për një pagesë prej 50,000 euro. Është pikërisht gjakmarrja përmes organizatës kriminale akuza që rëndon mbi katër personat e përfshirë në krimin e rëndë.

Dy prej tyre, Sabah Nuzi dhe Samet Loka, të dy 31 vjeç, përfunduan në pranga mesnatën e 26 shtatorit. Organi i akuzës ka faktuar se porositësi është Aurel Hoxha, i njohur edhe me emrin Aurelinjo Kalaveri, i cili vijon të jetë në kërkim.

Në pronësinë e Aurel Hoxhës është një lokal, në të cilin hetuesit zbarkuan në të gdhirë të mëngjesit të së premtes. Prokuroria e Posaçme arriti të zbardhë krimin e rëndë pas transkriptimit të SKY ECC.

Klevis Lleshi u zhduk pa gjurmë në 2020, ndërsa tre vjet më pas u zbulua se mbetjet kockore të gjetura nga banorët e zonës në fshatin Shpërdhet të Kurbinit i përkisnin pikërisht atij. Kjo pasi eshtrat e 21-vjeçarit iu nënshtruan analizës së ADN-së nga Instituti i Policisë Shkencore.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›