Burimet ujore në rajonin e Korçës, konferencë shkencore dhe prezantim i botimit studimor në universitet

Në një konferencë shkencore të zhvilluar në ambientet e Universitetit “Fan Noli” është prezantuar një botim studimor në lidhje me burimet ujore në rajonin e Korçës.
Ky botim vjen si një studim i Universitetit “Fan S. Noli” në partneritet me shoqatën alpino – turistike Korca Alpin dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.
“Ky është një studim i integruar që fokusohet në analizën e burimeve dhe hidromonumenteve në rajonin e Korçës, duke trajtuar si vlerat dhe cilësitë biokimike të ujërave, ashtu edhe ndikimin e tyre në mjedis, turizëm dhe shëndet. Në këtë studim janë përfshirë katër departamente të universitetit: Departamenti i Gjeografisë dhe Historisë së Gjeografisë, Departamenti i Infermierisë, Departamenti i Shkencave Sociale dhe Departamenti i Biokimisë.
Ky bashkëpunim ndërdisiplinor përbën një risi jo vetëm për universitetin, por edhe për vetë rajonin, pasi synon të njohë dhe të vlerësojë më mirë burimet ujore dhe potencialet që ato mbartin. Qëllimi kryesor i këtij studimi është t’u vijë në ndihmë institucioneve, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, si dhe aktorëve të ndryshëm, për menaxhimin, mbrojtjen dhe promovimin sa më efektiv të këtyre pasurive natyrore”, tha Dr. Eriseld Kalemaj, koordinator.
Në këtë botim janë studiuar Burimet termale të Sarandoporit, Liqeni akullnajor i Gramozit, Burimi i Devollit, Burimi i Osumit, Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël, Liqenet akullnajore të Valamarës, Liqeni i Ohrit, burimet e Drilonit dhe Liqenet akullnajorë të Lukovës, ku paraqitën të dhënat nga analizat biokimike, lidhja e burimeve me ekosistemin, potenciali turistik, vlerat apo rreziqet shëndetësore dhe marrëdhënia e komunitetit me to.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/