E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Buxheti Faktik 2024 për Qytetarin”, informacion dhe transparencë për të ardhurat

TIRANË,  29 gusht /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se për herë të parë është hartuar dhe publikuar “Buxheti Faktik 2024 për Qytetarin”, një dokument i posaçëm dhe i dedikuar për publikun e gjerë.

Malaj tha se, “ky raport synon të ofrojë transparencë të plotë dhe informacion të thjeshtuar mbi të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe burime të tjera, si dhe mënyrën se si këto fonde janë shpenzuar në funksion të investimeve dhe prioriteteve të vendit”.

“Qëllimi ynë është dhënia e një informacioni të thjeshtuar e lehtësisht të kuptueshëm nga të gjithë, mbi reformat e rëndësishme që po ndërmarrim për të përmirësuar menaxhimin e parave publike”, u shpreh ministri.

Ky dokument përfaqëson një hap domethënës në forcimin e llogaridhënies publike dhe transparencës fiskale, si pjesë e angazhimit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Buxheti për Qytetarin” u krijua me qëllimin për t’ia afruar më shumë politikën fiskale qytetarëve, duke i bërë ata më të informuar dhe më të ndërgjegjshëm për përdorimin e fondeve publike.

Ministri ndau në rrjete sociale linkun : https://financa.gov.al/buxheti-faktik-per-qytetaret/, ku gjendet dokumenti mbi “Buxheti Faktik 2024 për Qytetarin”, me të gjitha detajet mbi treguesit fiskal dhe financat publike për vitin 2024.

Sipas këtij dokumenti, “Qeveria vijoi  të kishte në fokus mbajtjen e një  buxheti të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Në vitin 2024, qeveria mblodhi 10.4% më shumë të ardhura se një vit më parë, ndërsa shpenzimet u rritën me 8.0%. Ekonomia shqiptare vazhdoi të rritej në vitin 2024. Prodhimi i përgjithshëm ekonomik (PBB) i vendit u rrit me 4%, në vlerën 25 miliardë euro ose 3,3 miliardë euro më shumë se në 2023. Të ardhurat për frymë u rritën me 10, 490 euro dhe të ardhurat totale buxhetore u ritën me 6,8 miliardë euro ose 644 milionë euro më shumë se në 2023”.

Gjithashtu shpenzimet për mbrojtjen sociale prekën shifrën e 2,3 miliardë eurove, shpenzimet për arsimin u rritë në 774,1 milionë euro ose 110 milionë euro më shumë se një vit më parë. Ndërsa shpenzime shëndetësore arritën vlerën e 709,6 milionë eurove ose 80,3 milionë euro më shumë se në 2023. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›