Buxheti i RTSH-së për vitin 2025, Polo: Synojmë të rrisim pagat për të gjithë institucionin

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Drejtoresha e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar, Aurora Polo deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2025 për këtë institucion parashikohet në vlerën 2 miliardë e 900 milionë lekë, ku 770 milionë lekë janë nga financimi buxhetor dhe 2 miliardë e 131 milionë lekë nga të ardhurat e RTSH-së.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Polo parashtroi kërkesat që ka RTSH sipas programeve të shpenzimeve.
“Shërbimi për shqiptarët jashtë kufijve dhe shërbimi publik i gjuhëve të huaj është në vlerën 320 milionë lekësh. Financimi buxhetor i parashikuar për këtë program në 2025-ën është në vlerën 279 milionë lekësh. Kërkesat buxhetore shtesë për shërbimin për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë dhe shërbimin për publikun në gjuhë të huaj qëndrojnë në nivelin 41 milionë lekë për vitin 2025″, tha Polo.
Po ashtu, ajo vuri theksin te rritja e pagave të punonjësve të RTSH-së.
“Synohet që paga mesatare e punonjësve të këtij shërbimi të shkojë në nivelin e 91 mijë lekëve, nga 78 mijë lekë që është aktualisht”, u shpreh Polo.
Drejtoresha e komanduar e RTSH-së deklaroi më tej se një kërkesë e saj ka qenë edhe ulja e taksës së shërbimit me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes nga 10% në 2%.
Ajo shtoi ndërkaq, se nevojitet rritja e taksës së aparatit, pasi sikurse theksoi ajo, do të lehtësonte buxhetin e shtetit.
“Rritja e pagave të punonjësve të orkestrës, apo ata që mbështeten nga këto financime buxhetore me 15%. Nëse miratohet buxheti që kam kërkuam për 2025-ën, do rrisim pagat e gjithë institucionit. Rritja e taksës së aparatit sepse jemi më të ulëtat në rajon. Me rritjen e taksës lehtësohet buxheti i shtetit sepse dalim me vetëfinancim. Të ulim taksën e shërbimit me operatorin e sistemit të shpërndarjes në 2% nga 10% që është”, përfundoi Polo.
/a.f/