E Premte, 6 Nëntor 2026

Pr/buxheti 2025, Denaj: 15 miliardë lekë, rrisim subvencionet dhe nxisim inovacionin

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj prezantoi sot në Komisionin për Ekonomisë dhe Financave, pr/ buxhetin 2025 dhe investimet e parashikuara në sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Denaj bëri një panoramë të sektorit, ku theksoi se zhvillimi ekonomik në sektorin e bujqësisë është tashmë një fakt dhe trend i pakthyeshëm, gjë që dëshmohet nga shifrat, si: Rritja e sipërfaqes së serave me 70% më shumë; Rritja e eksporteve me 2,6 herë më shumë dhe dyfishimi i sipërfaqes ujitëse të rehabilituar.

Duke iu referuar projektbuxhetit të vitit 2025, ministrja Denaj tha se, peshën më të madhe në buxhet e zë zëri i investimeve me 20%, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, si dhe mbrojtja nga përmbytjet. Ky zë është rritur me 18% nga viti në vit, edhe pse mbetet ende një nevojë e domosdoshme për fokus në investime për shkak të kushteve klimatike dhe terrenit shqiptar.

Një ndër aspektet kryesore që theksoi ministrja, ishte efektshmëria e Skemës Kombëtare ndër vite, ku fokusin, sipas saj, do e ketë “bashkimi i operatorëve”.

“Problemi i hasur në të gjitha tryezat dhe protestat e fermerëve përgjatë këtij viti ka orientuar nevojën për forcën juridike të transaksionit nëpërmjet asaj që quhet kontratë. Kemi menduar të shkojmë drejt një organizimi edhe më të gjerë se kontrata dypalëshe, në orientim të ndërthurjes së bashkimit të operatorëve si në nivel horizontal – fermerët, ashtu edhe në atë vertikal – grumbulluesit, eksportuesit, hotelierët, që ndryshe quhet ‘Contract Farming’,” tha Denaj, duke shtuar se jemi në pritje të një propozimi juridik dhe të ndërthurjes së kësaj skeme me skemën e subvencioneve nga FAO.

“Brenda vitit, të dy elementët do të jenë pjesë e analizës për skemën e re, duke synuar që bashkimi i operatorëve, formalizimi i transaksioneve dhe siguria ushqimore të jenë tre kriteret bazë që synon skema, ku përfshirja e fermerëve dhe sektorëve bujqësorë të vijë natyrshëm në funksion të tyre,” u shpreh Denaj.

Një ndër objektivat e buxhetit të vitit të ardhshëm, ministrja përmendi si shumë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik që ka sot ekonomia bujqësore shqiptare, nxitjen e konkurrueshmërisë nëpërmjet fokusit te produktet e tregtueshme dhe me vlerë, cilësinë e produkteve, rritjen e masës ekonomike për të ulur kostot, si dhe nxitjen e mekanizimit dhe inovacionit.

Në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025, Denaj theksoi se ky buxhet parashikohet të arrijë në 15 miliardë lekë, me një rritje prej afërsisht 4% krahasuar me buxhetin e vitit 2024. Ky fond i shtuar synon të mbështesë dhe forcojë financimin e politikave kyçe si zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, garantimi i sigurisë ushqimore, zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të peshkimit dhe i ekonomisë blu, si dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative dhe institucionale, bashkëpunimi i aktorëve, inovacioni dhe digjitalizimi.

1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›