E Diel, 1 Nëntor 2026

CEO i Presight AI: Nisim menjëherë zbatimin e projektit Smart City

Sot në Tiranë u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e projektit “Smart City”, një iniciativë e rëndësishme që synon modernizimin e sigurisë publike dhe menaxhimin urban në Shqipëri.

Ceremonia e nënshkrimit shënoi fillimin e një partneriteti strategjik ndërmjet institucioneve shqiptare dhe kompanisë ndërkombëtare Presight AI, duke vendosur bazat për aplikimin e teknologjive inteligjente në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Gjatë ceremonisë, CEO i kompanisë Presight AI, Thomas Pramotedham, e cilësoi këtë moment si më shumë se një kontratë, duke e parë si një partneritet afatgjatë mbi bazën e besimit dhe ambicieve të përbashkëta.

Pramotedham kujtoi se Presight AI ka lindur në Abu Dhabi dhe se për më shumë se një dekadë Emiratet e Bashkuara Arabe kanë treguar se si teknologjia mund të mobilizohet në nivel kombëtar për të përmirësuar cilësinë e jetës, sigurinë dhe qëndrueshmërinë. Ai theksoi se kompania është pjesë e ekosistemit të G22, një prej grupeve kryesuese të inteligjencës artificiale në botë, me partneritete të forta me gjigantë të teknologjisë, ku ndër aksionerë gjenden edhe Microsoft.

Duke folur për filozofinë e punës, kreu i Presight AI u shpreh se fokusi i tyre nuk ka qenë kurrë eksperimental, por gjithnjë zbatues.

Ai solli shembuj nga projektet e realizuara në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kazakistan dhe vende të ndryshme të Afrikës, ku platforma “Smart City” është përdorur për zhvillim urban, siguri publike dhe qëndrueshmëri mjedisore, përfshirë menaxhimin e mbetjeve urbane.

Pramotedham theksoi se marrëveshja e arritur në Shqipëri është rezultat i një procesi rigoroz dhe se puna do të nisë menjëherë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Do të punojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme për ta filluar projektin menjëherë dhe nga data e parë fokusi ynë do të jetë tek zbatimi, kapacitetet dhe qëndrueshmëria që të sjellim vlerë të vërtetë për institucionet dhe popullin shqiptar,” – u shpreh ai.

Në përmbyllje, CEO i Presight AI nënvizoi se projekti “Smart City” për Shqipërinë do të jetë një kontribut i rëndësishëm për vizionin e Kryeministrit Rama, duke e afruar vendin me standardet teknologjike europiane dhe me objektivin për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›