Çano takim me përfaqësues të ambasadës gjermane: Sektori i energjisë, gur themeli i bashkëpunimit

TIRANË, 18 prill/ATSH/- Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës, Eridana Çano, zhvilloi një me përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Shqipëri, si dhe të institucioneve partnere KfW dhe GIZ – aktorë kyç në bashkëpunimin afatgjatë për zhvillimin në vendin tonë.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime dhe u diskutua gjerësisht mbi ecurinë e projekteve në sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura dhe mbështetja institucionale.
Në njoftim zyrtar, SASPAC bën të ditur se aktualisht KfW po zbaton 20 projekte nga të cila, sektori i energjisë mbetet një gur themeli i këtij bashkëpunimi, me investime me ndikim në mbështetje të institucioneve kombëtare si KESH, OST dhe OSHEE.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua aspekteve praktike të programimit të projekteve të rëndësishme strategjike dhe procedurave administrative që sigurojnë një zbatim sa më efikas dhe të qëndrueshëm të tyre.
“Bashkëpunimi i ngushtë dhe i qëndrueshëm me partnerët gjermanë përfaqëson një nga shtyllat themelore të procesit të modernizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë. Ky partneritet i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë dhe vizion të përbashkët për të ardhmen, mbetet thelbësor për avancimin e reformave dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët tanë”, theksohet në njoftimin zyrtar.