E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: 52% e listës së mbyllur të PS-së janë gra, kemi rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e konsideroi sot historik faktin se sot gratë dhe vajzat janë pjesë e qendrës së vendimmarrjes së Partisë Socialiste.

Në një takim me gratë dhe vajzat e qarkut të Lezhës, Rama u ndal te përfaqësimi i grave në vendimmarrje, që sipas tij, ka ardhur duke u rritur vit pas viti, ndërsa kujtoi edhe situatën në të cilën ndodheshin organizatat socialiste kur ai mori drejtimin e partisë.

“Kur unë erdha në krye të PS-së kjo pamje që kemi sot këtu ishte e paimagjinueshme. Dhe kur nuk e bënte dot PS, të tjerët as nuk llogariteshin fare që të kishin një prani të tillë grash. Kur e kemi nisur këtë rrugëtim, kur u zgjodha kryetar i PS-së dhe bëja vizitat e para në organizatat në gjithë territorin kishte zona të tëra ku më bënte përshtypje mungesa totale e grave”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “hap pas hapi arritëm të bëjmë diçka historike”.

“Kam shumë arsye për të qenë krenar për atë që kemi bërë bashkë për PS-në, për shumëçka në gjithë këto vite, por arsyeja më e madhe e krenarisë time është fakti se sot gratë e vajzat nuk janë më diku në cep ose pas derës, por janë pjesë e qendrës së vendimmarrjes dhe jetës së përditshme të PS-së”, tha Rama.

Rama kujtoi se “e kemi nisur me diku te 10-12% gra dhe vajza në këshillat bashkiakë dhe zgjedhje pas zgjedhjesh arritëm 50% gra dhe vajza në këshillat bashkiakë”.

Por sipas tij, kjo gjë u imponua me ligj dhe sot të gjithë janë të detyruar të pranojnë këtë përqindje.

“Prej disa vitesh e kemi qeverinë e Shqipërisë në pesëshen e parë të Kombeve të Bashkuara për praninë e grave në nivelin më të lartë drejtues të vendit. Në tabelën e Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria është vendi 23 për nivelin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën publike”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se edhe arritjet e deritanishme lidhen pikërisht me këtë fakt ndërsa kujtoi se edhe drejtueset e procesit të negociatave dhe pjesa më e madhe e skuadrës që merret me negociatat janë gra.

Duke folur për zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se skuadra e  këtij viti e PS-së ka në përbërje të saj 71 gra, ndërkohë që në listën e mbyllur 52% janë gra.

“Të gjitha këto janë rezultat i një procesi, përpjekje dhe këmbëngulje të madhe dhe tani janë rezultat edhe i bindjes se gratë dhe vajzat janë vlerë e shtuar. PS sot ka mbështetjen e 56% të grave dhe vajzave të Shqipërisë, pra shkon përtej mbështetjes të përgjithshme. Llogaria është shumë e thjesht, ne kemi 56% të grave në gjithë Shqipërinë, kemi votuesit e parë shumicë, na duhet vetëm gjysma e burrave dhe fitojmë, jemi në rregull”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›