E Martë, 3 Nëntor 2026

Manja: 56% e grave dhe nënave dhe motrave votojnë PS-në

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Ministri i Drejtësisë njëherazi drejtuesi politik për qarkun e Lezhës Ulsi Manja tha se “56% e grave nënave dhe motrave votojnë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”.

Në takimin që u zhvillua këtë të premte në Kurbin me gratë dhe vajzat e qarkut Lezhë, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama, Manja evidentoi faktin e një pjesëmarrjeje të madhe të grave dhe vajzave në këtë takim teksa theksoi se,” me të drejtë Rama ka thënë se fitorja e PS-së, në mandatin e 4-të e ka emrin grua”.

Manja solli në vëmendje planin për ndërtimin e Pallatit të ri të Sportit në Kurbin.

“Na duhet ai Pallat Sporti, sepse nëse do kishim një Pallat Sporti, këtu do të ishin të pranishme edhe më shumë gra dhe vajza të Mirditës, Lezhë dhe Kurbinit”, tha Manja.

Ai u shpreh se, kush burrë merr votën e gruas, vajzës, motrës për ta çuar te këneta bën gabimin më të madh. “Kjo do të thotë të marrësh të ardhmen e fëmijëve ta çosh në kënetë”, tha Manja.

Manja ftoi të pranishmit që në 11 maj të votojnë për Shqipërinë në Europë që, siç u shpreh ai, “të kemi një pasaportë europiane në 2030-ën”.

Manja tha se, në listë e hapur të PS janë njerëzit më të mirë, ndërsa theksoi se nga kjo listë 4 kandidate janë zonja. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›