Çelet “Mësimi për tregun e aksioneve”, mundësi unike për edukimin financiar të bankierëve

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ “Mësimi mbi tregun e kapitaleve” (Stock Market Learning Game), një simulim i tregut të aksioneve i zhvilluar për punonjësit e sektorit bankar, u çel zyrtarisht sot nga Banka e Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Shoqata gjermane, Sparkassenstiftung Albania (DSIK).
Ky aktivitet, i cili zhvillohet në kuadër të edukimit financiar, synon të forcojë njohuritë praktike mbi tregjet e kapitalit dhe strategjitë e investimit.
Në fjalën e saj hapëse, zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, theksoi rëndësinë e zhvillimit të aftësive financiare në një mjedis ekonomik gjithnjë në ndryshim.
Ajo vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në edicionin e këtij viti dhe e konsideroi këtë iniciativë si një mekanizëm të rëndësishëm për zbatimin e standardeve të Kapitullit 4 të BE-së për “Lëvizjen e lirë të Kapitalit”, duke përgatitur dhe formësuar punonjësit bankarë me njohuri më të thelluara mbi funksionimin e tregjeve të kapitalit.
Përmes këtij konkursi, pjesëmarrësit kanë mundësi të eksperimentojnë në mënyrë të sigurt me vendimmarrje financiare, të zbatojnë strategji të ndryshme investimi dhe të kuptojnë më mirë funksionimin e tregjeve financiare, duke krijuar një urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës.
/e.xh/j.p/r.e/