E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO rrëzon kërkesën e Metës për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, si të pambështetur në ligj.

Vendimi u mor sot nga gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka. Kundër këtij vendimi, Meta mund të bëjë ankimim brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha se gjykata nuk e ka arsyetuar vendimin e dhënë, duke shtuar se kjo krijon precedent të rrezikshëm për Metën.

“Kërkuam shuarjen e masës së sigurisë, sepse ka plotësuar të gjitha kriteret e bazuara në ligj. Gjykata sot ka krijuar precedentin e rrezikshëm të mbajtjes peng të Metës në burg”, tha avokati.

“Afati 1-vjeçar është ezauruar dje. Shuarja është një moment i rëndësishëm procedural, sepse janë plotësuar afatet e paraburgimit. Nesër do shqyrtohet kërkesa për revokimin”, tha Cakrani.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›