Çelet edicioni i 5-të i festivalit “Nona”, atmosferë magjike në Përmet

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Në qytetin e trëndafilave u çel mbrëmjen e sotme festivali “Nona”, festa e gjysheve shqiptare.
Qindra qytetarë, por edhe turistë vendas e të huaj, mbushën sheshin kryesor të Përmetit.
Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një aktivitet unik treditor, që e kthen Përmetin në një sofër të madhe te ngjashme me shtëpinë e gjysheve tona.
Festivali nisi paradite me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, për të vijuar pasdite me çeljen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u prezantuan gatime të ndryshme tradicionale.
Në mbrëmje, në festival performuan artistë të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj, Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani si dhe aktorja e njohur Eva Alikaj.
Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.
Festivali do të vazhdojë edhe në datat 9 dhe 10 gusht, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore.
/k.s/a.f/