SHBA – Shtëpia e Bardhë: Azerbajxhani dhe Armenia do të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje

UASHINGTON, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të presë sot në Shtëpinë e Bardhë, një “samit paqeje” mes kundërshtarëve të hershëm, Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Trump e njoftoi takimin në platformën e tij “Truth Social”, duke thënë se presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan do të merrnin pjesë në këtë samit.
Zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane thanë se dy liderët do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për ndërtimin e një rruge tregtare në jug të Armenisë – e cila do të quhet “Trump Route for International Peace and Prosperity”, (Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar).
Kjo rrugë do t’i japë Azerbajxhanit qasje të pakufizuar në eklavën e tij autonome të Nakhçivanit.
Kjo enklavë është e shkëputur nga pjesa tjetër e Azerbajxhanit dhe rrethohet nga Armenia, Irani dhe Turqia.
Projekti, që SHBA-ja e sheh si pjesë të një traktati më të gjerë paqeje, synon të nxisë tregtinë, tranzitin dhe transportin e energjisë në Kaukazin e Jugut.
Zyrtarët amerikanë thanë se do të vendosen garanci për të siguruar përdorimin paqësor të rrugës.
Presidenti Trump tha se SHBA-ja do të nënshkruajë gjithashtu marrëveshje bilaterale me të dy vendet për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe për të çliruar plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut. /Ad.Ab./