E Martë, 3 Nëntor 2026

Celibashi: Partitë të adresojnë me prova konkrete krimet elektorale, jo me retorikë politike

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Prezenca e OSBE-së dhe Prokuroria e Përgjithshme organizuan sot një tryezë teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore.

Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i cili ishte i pranishëm në këtë tryezë iu bëri thirrje partive politike si dhe shoqërisë civile që të adresojnë me prova konkrete krimet elektorale dhe jo më retorika politike apo vetëm me qasje mediatike.

“I uroj trupës së prokurorëve por edhe policisë së shtetit sukses në përmbushjen e detyrave dhe angazhimeve të tyre për procesin zgjedhor të 11 majit. E kuptoj se për dikë ka skepticizëm, dikush e ka konsideruar si shfaqe të tre institucioneve për të marrë pak vizibilitet publik, por në fakt nuk është kështu dhe me siguri ditët dhe javët në vijim gjatë fushatës zgjedhore do të konfirmojnë angazhimin e vërtetë dhe të përgjegjshëm të të gjitha institucioneve për të bërë çfarë kanë detyrë, për të garantuar zgjedhje me integritet. Më këtë rast dua t’u bëj një thirrje partive politike, organizatave të shoqërisë civile dhe kujtdo tjetër të cilët janë të interesuar apo kanë vëmendje të shtuar ose jo ndaj procesit zgjedhor që të adresojnë të gjitha shqetësimet, problematikat që ata konstatojnë, në lidhje me zhvillimin e procesit zgjedhor”, tha Celibashi.

Sipas Celibashit, nëse dikush mendon se ka shkelje të ligjit apo të Kodit Zgjedhor, duhet ta adresojë sipas parashikimeve të kodit të procedurës penale.

“Nëse dikush mendon se ka diçka që nuk shkon me zgjedhjet si në aspektin e thyerjes së ligjit penal apo Kodit Zgjedhor është me rëndësi që t’i adresojnë në mënyrë të përshtatshme. Retorikat publike dhe qasja vetëm mediatike e këtyre shqetësimeve, mendoj se jo vetëm nuk e ndihmojnë procesin, por kanë efekt të kundërt. Nëse është rasti për të denoncuar një krim zgjedhor duhet ta bëjnë sipas parashikimeve të kodit të procedurës penale këtë denoncim”,  tha Celibashi.

Celibashi shtoi se “nuk mundet që t’i kërkohet trupës së prokurorëve të policisë apo mandej dhe gjyqtarëve që do të angazhohen në këtë proces që të marrin në konsideratë thjesht dhe vetëm opinione komente apo narrativa publike”.

“Nëse vërtetë jemi seriozë në këtë çështje dhe kemi gjithë atë merak për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është shumë e rëndësishme që qasja të jetë institucionale. Do të duhet të shohim nëse sjellja e prokurorit, gjyqtarit apo punonjësit të policisë është ajo që duhet të jetë kur përpara ka një denoncim. Ftesa për partitë politike dhe shoqërisë, civile, por më shumë për subjektet zgjedhore, është për një adresim konkret bazuar në prova dhe jo në retorikë politikë apo narrativë elektorale”, u shpreh Celibashi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›