Celibashi: Përfundon numërimi në 22 bashki, dalja e rezultatit pritet brenda javës

TIRANË, 12 maj/ATSH-Maela Marini/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se brenda kësaj jave pritet dalja e rezultatit paraprak për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa theksoi se ecuria e procesit varet shumë nga angazhimi i njerëzve nga partitë politike në procesin e numërimit.
Gjatë një konference për mediet të mbajtur në Parkun Olimpik Tiranë, ku po numërohen votat e zgjedhësve nga jashtë, Celibashi veçoi faktorin e lodhjes së anëtarëve në qendrat e numërimit si arsye që sjell vonesa në ecurinë e procesit.
“Përfundimi i procesit të numërimit brenda kësaj jave varet shumë nga mënyra se si partitë politike, veçanërisht PS dhe PD, do të angazhojnë njerëz në procesin e numërimit”, tha ai.
Celibashi theksoi se në përgjithësi aspekti dokumentar i procesit të numërimit ka shkuar shumë mirë, por ashtu sikurse edhe në zgjedhjet e tjera kemi problematika me ecurinë normale të këtij procesi.
“Në pjesën e vet më të madhe kjo ecuri e ngadaltë është kushtëzuar nga tejlodhja e numëruesve. Një pjesë jo e vogël kanë qenë komisionerë gjatë ditës së votimit dhe iu është dashur të kryejnë edhe detyrën e numëruesit. Partitë politike që kanë anëtarë në grupet e numërimit duhet të organizojnë njerëzit dhe të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit. Të ndërtojnë një sistem me turne, pasi nuk do të tolerojmë ndërprerjen e procesit”, tha Celibashi.
Ndërkohë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve informoi se numërimi ka përfunduar në 22 bashki.
“Në lidhje me KZAZ-të, janë 24 KZAZ nga 93 gjithsej që e kanë përfunduar procesin e numërimit dhe tabulimit të rezultatit për subjektet zgjedhore dhe kanë vendosur për shkak të lodhjes të fillojnë nesër me procesin e numërimit të votave me kandidatët e listës së hapur”, tha ai.
Celibashi informoi po ashtu se ndërprerje të numërimit ka pasur në dy KZAZ të Fierit por me ndërhyrjen e KQZ-së ka rifilluar procesi.
Ndërkohë ai informoi se në bashkitë e Pustecit dhe Devollit ka përfunduar procesi i numërimit edhe për kandidatët.
Numërimi i votave, foto: Agim Dobi 1 nga 13/j.p/r.e/