Celibashi anulon akreditimin e të gjithë vëzhguesve në Vendin e Numërimit të Votave nga Jashtë

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vendosi sot anulimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve në Vendin e Numërimit të Votave nga Jashtë (VNVJ), me përjashtim të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Sipas vendimit, secili prej 11 subjekteve zgjedhore ka të drejtë të ketë vetëm një vëzhgues për çdo grup numërimi, si dhe një vëzhgues për çdo qark.
Organizatat e shoqërisë civile duhet të riparaqesin kërkesën për akreditimin e vëzhguesve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëpërmjet Portalit të Vëzhguesve, jo më vonë se ora 12:00, datë 16 maj 2025, thuhet në vendim.
Kërkesat për akreditimin e vëzhguesve nga partitë politike duhet të paraqiten pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve brenda ditës së sotme, jo më vonë se ora 24:00, thekson vendimi i KSHZ.
VENDIMKSHZ_2025_00_ ANULIM AKREDITIMI VNVJ
/r.e/