E Hënë, 2 Nëntor 2026

Celibashi hedh poshtë akuzat e PD: KQZ ofron garanci të plotë për procesin e zgjedhjeve

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, ka hedhur poshtë akuzat e kryedemokratit Sali Berisha për ndërhyrje dhe tjetërsim të votave gjatë procesit zgjedhor. Gjatë një konference për mediat, Celibashi ofroi garanci të plotë të procesit.

“Çfarë është zhvilluar nën përgjegjësinë e KQZ, jap garanci të plota që standardi, integriteti i asaj çfarë është administruar në KQZ është i plotë. Kemi të gjitha provat jemi të gatshëm t’i japim përgjigje çdo lloj kërkese apo pretendime që KQZ e ka pasur në autoritetin e vet”, tha Celibashi.

Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përballur më sulme kibernetike të njëpasnjëshme, Celibashi siguroi se nuk është impaktuar sistemi.

“Kanë qenë të gjitha nga jashtë, të krahasueshme me sulmet që kanë pasur vende të tjera për situata të ngjashme, si Franca, Estonia. Ia kemi dalë të kemi zero implikim në sistemet tona, ia kemi dalë t’i zmbrapsim të gjitha këto sulme. Qoftë në rastin e PER që ka ofruar siguri të plotë në çdo pikëpamje, por edhe aplikacionet e tera të KQZ, përfshirë dhe faqen dhe modulin e transmetimit të rezultateve”, sqaroi Celibashi. 

Kryekomisioneri dha disa të dhëna edhe për votën e diasporës, sipas të cilit, vota u shpërnda në 85 shtete të botës  duke përjashtuar 16 zgjedhës vetëm në Rusi./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›