Nis gjyqi për drejtorët e “5D”, ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës akuzohen për abuzime me tenderat

Sot është zhvilluar seanca e parë e gjyqit për dosjen “5D”. Të pandehur në këtë çështje janë ish-drejtorët e bashkisë Tiranë, Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha si dhe katër të tjerë.
Njëzëri avokatët e tyre, kërkuan gjykim të shkurtuar, por togat e zeza e rrëzuan.
Molla dhe Qato, janë vënë nën akuzë për tri vepra penale: korrupsion, pastrim parash e fshehje të pasurisë.
Ky shërbeu si argument për avokatët e tjerë që të kërkojnë për klientët e tyre ndarjen e çështjes, kërkesë që nuk u mor parasysh nga Gjykata.
Tusha së bashku me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dyshohen për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas SPAK, shoqëria “5D” është zotëruar nga Mariglen Qato e Redi Molla në shkelje të ligjit pasi duke përdorur kompaninë e tyre ata i jepnin tendera vetes.
SPAK ka zbuluar se përmes kompanisë “5D”, nga dhënia e 12 tenderave, janë përfituar rreth 193 milionë lekë./vizionplus.tv