E Diel, 1 Nëntor 2026

Cenko: Shërbimi Hidrografik Shqiptar rëndësi strategjike për sigurinë detare

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Shërbimi Hidrografik Shqiptar garanton përmes matjeve, hartëzimit dhe informacionit të saktë të lundrimit, një pamje të qartë dhe të besueshme për të gjithë ata që operojnë në ujërat shqiptare.

Në krye të këtij shërbimi, kapiteni i Rangut II Elvis Cenko, komandant i Shërbimit Hidrografik, dhe kapiten Klorindo Krriku, komandant i anijes hidrografike, udhëheqin me profesionalizëm dhe përkushtim një punë të specializuar që zhvillohet shpesh larg vëmendjes publike, por me rëndësi strategjike për sigurinë detare dhe sovranitetin kombëtar.

Komandanti i Shërbimit Hidrografik, kapiten i Rangut II, Elvis Cenka tha se “Shërbimi Hidrografik Shqiptar ka si synim krysor sigurinë hidrolundrimore në mënyrë që t’i bëjmë detrat tanë Adriatik dhe Jon sa më të sigurt për të gjithë lundërtarët”.

“Ne bëjmë të mundur prodhimin e hartave detare, të cilat përdoren nga gjithë komuniteti i lundërtarëve jo vetëm për Shqipërinë, por në të gjithë botën”, tha Cenka.

Komandanti i anijes hidrografike, kapiten lejtnant Klorindo Krriku, tha se “ne përdorim hartën e Shërbimit Hidrografik për përcaktimin e rajonit ku do të kryhen survejimet hidrografike”.

Mirëmbajtja e sigurisë teknike nëpërmjet dritave lundruese brenda ujërave territoriale shqiptare në pajtim me standardet e miratuara ndërkombëtarisht është një ndër misionet kryesore të Shërbimit Hidrografik Shqiptar.

Zhvillimi i sektorit turistik në brigjet adriatiko-joniane, që gjithnjë e më shumë po tërheq anijet turistike, kërkon mbështetjen e lundërtarëve me shërbime hidrografike, për të garantuar siguri në lundrim, nëpërmjet hartave detare dhe sistemi i sinjalistikës lundrimore.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›