Papajorgji takim me ambasadorin e Holandës: Forcojmë rolin e Gjykatës Kushtetuese sipas praktikave evropiane

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Vos.
Gjykata Kushtetuese njoftoi se gjatë takimit, palët shprehën konsideratat për progresin e bërë nga Shqipëria pas implementimit të reformës gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë, si dhe për rolin e luajtur nga Gjykata Kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e demokracisë në vend, si dy elemente kyç për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, konfirmoi përkushtimin e Gjykatës Kushtetuese për zhvillimin e dialogut konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë dhe forcimin e rolit aktiv të saj në promovimin e standardeve të larta kushtetuese, në përputhje me praktikat evropiane dhe ndërkombëtare.
/m.q/j.p/