E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Bunker për të korruptuarit, nuk pranojmë funksionimin normal të Kuvendit

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, pas përfundimit të seancës plenare të Kuvendit ku opozita bllokoi foltoren, në një prononcim për mediet, dënoi sjelljen e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që sipas tij “ka zyrtarizuar bunkerizimin e Kuvendit në mbrojtje të të korruptuarve”.

Gjithashtu, Bardhi tha se dënon në emër të grupit parlamentar edhe atë që e cilësoi provokim, duke iu referuar pranisë së zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Beinda Balluku në seancë.

Bardhi tha se Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të jetë kurrë streha e të korruptuarve.

“Kuvendi i Shqipërisë do të duhet që t’i shërbejë interesit publik, do të duhet t’i shërbejë drejtësisë që kërkojnë qytetarët, do të duhet t’i shërbejë barazisë para ligjit. Sa kohë që mazhoranca ka vendosur të shndërroje këtë godinë në bunkerin e të korruptuarve, deputetët e opozitës nuk mundet kurrsesi që të pranojnë funksionimin normal të Kuvendit”, tha Bardhi.

Bardhi i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit si dhe mazhorancës që “të mos vonojnë thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Rregullores së Mandateve dhe mos të pengojë edhe më shumë drejtësinë që ka kërkuar arrestimin e zëvendëskryeministres”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›