Çepe: Forcim i mekanizmave kundër falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve biometrike për qëllime kriminale

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Drejtuesja e shoqërisë “IdentiTek”, Silda Anagnosti Çepe u shpreh sot se kjo shoqëri ka zgjeruar dhe përmirësuar shërbimet për pajisjen e qytetarëve me dokumente biometrike, duke mundësuar marrjen e letërnjoftimit elektronik brenda 3 ditësh pune dhe të dokumenteve të tjera biometrike brenda 10 ditësh pune.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare, Çepe tha se gjatë shtatë muajve që prej ditës së marrjes së detyrës në drejtimin e kompanisë, fokusi ka qenë përmirësimi i shërbimeve, rritja e sigurisë dhe afrimi i tyre me qytetarët.
“IdentiTek-u ka si qëllim të ofrojë shërbime të një niveli të lartë sigurie, me integritet të specializuar dhe në përmirësim të vazhdueshëm, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për prodhimin e dokumenteve biometrike”, u shpreh ajo.
Çepe tha se “qytetarët mund të blejnë kuponin online nëpërmjet e-Kuponit, ndërsa një tjetër shërbim i ri është platforma “Gjurmo dokumentin”, përmes së cilës qytetari, duke vendosur numrin e aplikimit, mund të ndjekë në çdo moment statusin e dokumentit të tij nga prodhimi, deri në mbërritjen në pikën e tërheqjes”.
“Për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është mundësuar edhe ndarja e shërbimit të pajisjes me pasaportë nga ai për letërnjoftimin elektronik, duke u dhënë mundësi qytetarëve të aplikojnë vetëm për dokumentin që u nevojitet”, theksoi ajo.
Çepe bëri të ditur se në 15 përfaqësi diplomatike shqiptare jashtë vendit është mundësuar nënshkrimi elektronik nga konsujt, duke bërë të mundur që shtetasit shqiptarë jashtë vendit t’i marrin dokumentet biometrike në një afat të ngjashëm me qytetarët brenda vendit, rreth dy javë.
Drejtuesja e “IdentiTek”, u ndal edhe tek anëtarësimi i Shqipërisë në Drejtorinë e Çelësave Publikë (PKD) të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO). Sipas Çepes, kjo rrit njohjen ndërkombëtare të dokumenteve shqiptare dhe forcon mekanizmat kundër falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve biometrike për qëllime kriminale.
Gjatë seancës dëgjimore, deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ngriti shqetësime lidhur me ofrimin e shërbimeve për shtetasit shqiptarë në diasporë, veçanërisht në vendet ku ka komunitete të mëdha shqiptare.
“”Ju jeni në një situatë monopoli, si të vetmit që i pajisni ose jo shtetasit shqiptarë me dokumente identiteti. Në kushtet kur votimi i shtetasve shqiptarë në diasporë është bërë tashmë një e drejtë ligjore, si e ofroni ju këtë shërbim? Ne si opozitë kemi denoncuar raste ku një pjesë e përfaqësive diplomatike gjatë periudhës zgjedhore janë kthyer në agjenci elektorale të partisë në pushtet”, tha Kaso.
Në përgjigje, Çepe tha se “IdentiTek” do të ndjekë të njëjtën praktikë si në zgjedhjet e kaluara, duke ofruar shërbimin aty ku kërkohet.
Ajo theksoi se kompania ka disa shtresa sigurie për mbrojtjen e të dhënave dhe dokumenteve, të cilat, garantojnë që ndërhyrja në sistemet e kompanisë të mos jetë e mundur pa aktivizuar mekanizmat përkatës të sigurisë.
Drejtuesja e IdentiTek SHA, Silda Anagnosti Çepe, foto: Andrin Hoxha 1 nga 2/e.i/j.p/r.e/