E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditi me grusht të shoqëruarin gjatë tubimit në Tiranë, pezullohet efektivi i policisë

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita pezulloi nga detyra një punonjës policie i cili goditi me grusht një të shoqëruar gjatë një tubimi ditën e sotme në Rrugën e Durrësit në Tiranë.

Policia njoftoi se “paraditen e sotme, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë”.

Gjithashtu, Hita, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.

Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›