Çipa: Projekti i Trump për Groenlandën është i pandalshëm, BE po tregon mungesë vizioni

Analisti Aleksandër Çipa vlerësoi se projekti i presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën është i pandalshëm dhe po ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet historike mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
Në emisionin “3D” në RTSH, Çipa tha se dërgesa e trupave të disa shteteve të BE në Groenlandë ka karakter simbolik, por mesazhi politik është i qartë.
“Kauza e Groenlandës po ndryshon marrëdhëniet tradicionale mes SHBA-së dhe Evropës dhe kjo marrëdhënie nuk do të jetë më e njëjtë”, u shpreh ai.
Analisti theksoi se përkeqësimi i marrëdhënieve transatlantike mund të shoqërohet me akuza nga ana e SHBA-së ndaj Bashkimit Europian për tolerimin e investimeve kineze në zona strategjike, të cilat prekin edhe interesat amerikane.
Çipa e cilësoi qasjen e udhëheqësve europianë si mediokre, duke theksuar mungesën e protagonizmit dhe vizionit strategjik.
“Dërgesa e trupave në Groenlandë është simbolike, por projekti i Trump është i pandalshëm. Kauza e Groenlandës po ndryshon marrëdhëniet historike mes Evropës dhe SHBA-së; kjo marrëdhënie nuk do të jetë më e njëjtë sipas Trump. Ky ndryshim prek edhe modelet e qeverisjes globale.
Nëse marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës do të agravohen, Trump mund t’i thotë BE-së se ka toleruar investime kineze në vende strategjike edhe për vetë interesat amerikane. Qasja që ofrojnë udhëheqësit evropianë është më mediokre se kurrë më parë në historinë e Evropës. Mungon protagonizmi dhe vizioni. I vetmi investim që po artikulohet është direktiva për rikthimin e kapaciteteve ushtarake, por edhe kjo nuk është bërë në mënyrë të strukturuar’, tha Çipa.
/rtsh.al/