E Diel, 1 Nëntor 2026

Çlirimi i hapësirave publike edhe në zonat rurale me interes turistik

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Në nisje të episodit të radhës të podkastit të përjavshëm “Flasim”, kryeministri Edi Rama foli për procesin e çlirimit dhe menaxhimit të hapësirave publike në vend, duke theksuar sfidat e mentaliteteve të rrënjosura dhe rëndësinë e një angazhimi të vazhdueshëm.

“Lirimi i hapësirave publike po vazhdon me këmbëngulje, ashtu sikundër edhe imponimi i një statusi të ri të hapësirës publike. Nuk është e lehtë. Është lufta me një mentalitet të rrënjosur, mesa duket ende më thellë sesa këto 30 e kusur vite”, tha Rama, duke kujtuar edhe mentalitetin e periudhës së diktaturës, kur sipas tij “hapësirat publike ishin hapësirat e një shteti unik në një diktaturë të ashtuquajtur të proletariatit, ku proletarët i kishin të gjitha me fjalë dhe i kishin të gjitha bashkë, por s’kishin absolutisht asgjë”.

Ai theksoi se ky proces nuk është i përkohshëm, por një angazhim i vazhdueshëm.

“Procesi, mbasi kemi fituar mandatin e katërt, nuk është një proces i përkohshëm, nuk është një aksion i një jave, një muaji, dy muajsh, por është një angazhim i vazhdueshëm, i vazhdueshëm, i vazhdueshëm për të rivendosur rregullin në përdorimin e hapësirave të përbashkëta”, deklaroi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se vetëm në Tiranë janë çliruar 140 mijë metra katrorë hapësirash publike dhe janë kryer ndërhyrje të forta për të siguruar rregullin në zonat qendrore.

“Vetëm në Tiranë, ku janë identifikuar shumë problematika që lidhen me zaptime hapësirash publike, janë çliruar 140 mijë metra katrorë, që nuk janë pak, ndërsa në zona si, për shembull, zona këtu në qendër, janë ndërmarrë edhe ndërhyrje shumë të forta për të siguruar çlirimin e hapësirave publike. Ajo që ka rëndësi të thuhet është se në të njëjtën kohë po shtrihemi edhe në zonat e banuara rurale, po shtrihemi edhe në zonat që, natyrisht, dhe pikërisht pse janë zona me interes turistik, nuk mund të jenë pika ku hidhen inerte e ku ngrihen ngrehina të pakuptimta pa leje”, shtoi ai.

Rama theksoi rëndësinë e planifikimit të hapësirave publike sipas studimeve të arkitektëve dhe punës së bashkisë.

“Do përfundojmë rregulloren e përgjithshme mbi bazën e së cilës pastaj të gjithë ata që funksionojnë në sipërmarrjen që lidhet me shfrytëzimin e hapësirës publike do të kenë të qartë se ku janë kufijtë e tyre. Parimi i thjeshtë do të jetë 70 me 30% i një hapësire, ku 70% do të jetë gjithmonë i publikut, do të jetë gjithmonë i komunitetit, do të jetë gjithmonë i atyre që ecin në këmbë”, u shpreh Rama.

Kryeministri më tej, nënvizoi fillimin e një faze të re të komunikimit me komunitetet në të gjitha qarqet.

“Do të angazhohemi me një cikël takimesh me komunitetet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe natyrisht për të dëgjuar njerëzit. Do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për çka shohim si pengesa për t’u kapërcyer. Do të flasim për gjithçka që njerëzit do të duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne”, tha Rama, duke theksuar se përgjegjësia kryesore mbetet te qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›