E Hënë, 2 Nëntor 2026

Finalizohet operacioni “Përshtatja” në Shijak, 4 të arrestuar për kultivim bimësh narkotike


TIRANË, 29 mars/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ushtruan kontrolle intensive në ambientet e mbyllura, duke zbuluar një magazinë të marrë me qira nga J. Gj., në lagjen “Popullore”, Shijak.

Ambienti ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 180 vazo ku më parë ishin kultivuar bimë kanabis, boçe dhe mbetje të dyshuara lënde narkotike kanabis, pompë uji, filtër ajrimi, tub aspirimi, 7 llamba elektrike, 7 ventilatorë, 16 paketa të energjisë elektrike, bllok siguresash dhe pajisje të tjera ndihmëse për kultivimin e bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë: L. K., 54 vjeç, dhe J. Gj., 31 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim; S. D., 24 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”; R. B., 61 vjeç, punonjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, është shpallur në kërkim D. K., 25 vjeç, djali i L. K., i dyshuar për “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Hetimet tregojnë se L. K. së bashku me djalin e tij D. K. kishin dhënë me qira ambientin shtetasit J. Gj., i cili e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Ndërkohë, R. B. dyshohet se nuk raportoi lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike, ndërsa S. D. kishte dijeni për aktivitetin dhe nuk e kallëzoi.

Operacioni vijon për kapjen e shtetasit 25-vjeçar dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›