Clutterbuck, menaxhere e Voltalia-s: Të angazhuar për energjinë e pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm në Shqipëri

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Në Forumin për Investimet BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë, Kelly Clutterbuck, menaxhere e Vendit për Shqipërinë në kompaninë Voltalia, theksoi angazhimin e kompanisë për të sjellë energji të pastër dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik në vend.
Ajo kujtoi se Voltalia operon si investitor privat në Shqipëri prej pesë vitesh, duke ndjekur të gjitha rregulloret vendore dhe në përputhje me procesin e integrimit evropian. Clutterbuck vuri në dukje se kompania ka përfituar mbështetje nga një sërë fondesh zhvillimi dhe partnerësh ndërkombëtarë, çka ka ndihmuar në përmbushjen e standardeve të larta të investimit.
“Është një sfidë të investosh në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe infrastrukturës, pasi kërkon mjete, vizion dhe mbështetje për të siguruar qëndrueshmëri në ekonominë e vendit”, u shpreh ajo.
Clutterbuck theksoi rëndësinë e forcimit të mbështetjes për projektet që Voltalia po zbaton në tregun energjetik të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se përballë politikave të reja të BE-së dhe rregulloreve që po miratohen, nevojitet një transferim gradual i tyre në nivel lokal.
“Jemi avokatë të një tranzicioni të drejtë dhe realist, që merr parasysh specifikat e çdo vendi. Mbështetja nga terreni është thelbësore për të siguruar suksesin e këtyre politikave”, tha Clutterbuck.
Në përmbyllje, përfaqësuesja e Voltalia-s shprehu interesin e kompanisë për të thelluar investimet në projekte të gjelbra dhe për të përfituar më shumë mbështetje teknike në nivel lokal, në funksion të integrimit evropian dhe forcimit të qëndrueshmërisë energjetike në rajon. e.xh/j.p/